Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha sot në Kuvend se buxheti i vitit të ardhshëm është hartuar në dakordësi me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ahmetaj tha se me FMN-në është rënë dakord për rritjen e rrogave në nivel mesatar 10 %.
“Kemi dakordësi të plotë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Viti 2017 e ul borxhin publik në 69.1 %, deficit shkon në 2 %”, tha Ahmetaj.
Ndërsa deputetja demokrate Jorida Tabaku, tha se qeveria nuk mund të krenohet me borxhin public, të cilin vetëm e ka rritur që prej ardhjes në pushtet.
“FMN-ja ju tha shihemi në janar. Nuk e di si mund të krenoheni se vetëm e rritët borxhin publik. Të gjitha investimet tuaja publike janë ineficiente”, tha Tabaku.



