
Ne kulmin e debatit mbi rritjen e pagave të deputetëve dhe ministrave emisioni investigativo - satirik “Xhadat„ publikoi premtimin e pambajtur të kryeministrit Rama.
Në mars të vitit 2021, gjatë prezantimit të programit “Pagat, taksat dhe biznesi në Planin e Veprimit 2021-2025”, kryeministri Rama ka thënë se pagat e qeveritarëve nuk do të rriten asnjë qindarkë deri në vitin 2025:
“Në mandatin e tretë pagat e mësuesve do të rriten edhe 40% më shumë dhe po ashtu 40 % më shumë do rriten dhe ato të bluzave të bardha. 30% do të rriten dhe pagat e punonjësve të administratës publike, ndërkohë që pagat e qeveritarëve dhe parlamentarëve as janë rritur që nga viti 2013 dhe as do të rriten asnjë qindarkë deri në vitin 2025.„ -është shprehur Rama.
Ndryshe nga sa kryeministri ka thënë dy vjet më parë, dje në Komisionin e Ekonomisë, deputetët miratuan propozimin për rritjen e pagave për qeverinë dhe deputetët.
Sipas këtij propozimi, paga e deputetëve do të dyfishohet nga 156 770 lekë që është aktualisht në 310 250 lekë, ndërsa e Ministrave nga 174 760 lekë në 318 750 lekë bruto.
Kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit paga u rritet në thuajse 400 000 lekë bruto nga 228 000 lekë që është sot.
Projektligji pritet të kalojë për miratim në parlament.



