Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, komentoi protestën qytetare të zhvilluar këtë të enjte, duke e cilësuar atë si kulmin e pakënaqësisë së akumuluar ndaj qeverisjes. Ai tha se protesta e dy muajve të fundit pasqyron revoltën e qytetarëve ndaj, sipas tij, abuzimeve me institucionet publike dhe theksoi se mënyra e reagimit të protestuesve ka qenë paqësore.
Ta nisim nga protesta e sotme. Ishte thelbi i gjithçkaje ka ndodhur në dy muaj protestë. Ata që e kanë vjedhur vendin, nga spitalet në jetimore, u përballën me mllefin e qytetarëve, veza është forma më e qytetëruar e protestës. Nëse në një vend tjetër të botës do të kishte kaq shumë mllef, të siguroj se nuk do hidheshin vezë, por gurë dhe shkopinj. Kjo tregon një nivel të lartë emancipimi të Shqipërisë.
Gjatë intervistës, kreu i Lëvizjes Bashkë kritikoi ashpër deklaratat e drejtuesve të Partisë Socialiste, duke u ndalur te përdorimi i termit "terroristë" për protestuesit. Ai e cilësoi këtë gjuhë si të papranueshme dhe tha se retorika e tillë nxit përshkallëzimin e situatës dhe justifikon, sipas tij, ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve.
Ata që kanë pushtetin, çfarë nuk kanë bërë dhe nuk kanë thënë. Do ta nis nga Taulant Balla, mos gaboj, është drejtues i grupit parlamentar të PS, jo një Zeqine e rastit. Taulant Balla, mes një mijë e një gomarllëqeve që ka thënë, ka thënë diçka problematike, i ka quajtur protestuesit terroristë. Nuk e kam dëgjuar në 36 vite pluralizëm në Shqipëri që një forcë politike i quan ata që ka përballë terroristë. Gjuha është shumë e rëndësishme. Po i the tjetrit terrorist, me të nuk ka as bisedë dhe asgjë. Pasi kur i thua dikujt terrorist ai meriton plumbin në ballë. Kjo do të thotë se kjo parti ka për borxh jo vetëm të thotë gjithçka, por edhe të bëjë gjithçka. Taulant Balla i quajti terroristë dhe nuk është rastësi që policia iu ndërsye vajzave dhe djemve të rinj, duke i marrë zvarrë dhe duke i goditur, edhe tre aktivistë të Lëvizjes Bashkë mes tyre.
Në vijim, ai përdori një referencë nga shkrimtari italian Italo Calvino për të përshkruar, sipas tij, përplasjen mes qytetarëve dhe pushtetit, duke argumentuar se protestat e fundit kanë nxjerrë në pah kontradiktat politike dhe sociale në vend.
Italo Calvino, një autor italian, flet për dy qytete, të minjve dhe të dallëndysheve. Minjtë dhe dallëndyshet ndryshojnë në kohë, kanë edhe raporte dinamike me njëri-tjetrin. Një gjë nuk ndryshon, dallëndyshet duan gjithmonë të shpëtojnë nga minjtë. Pra punëtorët, qytetarët e me radhë duan të shpëtojnë nga ata që përfitojnë nga qytetarët. Kjo që po ndodh në dy muaj, është ora e së vërtetës në Shqipëri. Asgjë nuk mund të manipulohet, fshihet dhe zbukurohet më. Prandaj gjuha e pushtetit është kaq agresive dhe banale. Si kurrë më parë ka dalë e vërteta dhe kontradikta në shesh. Dallëndyshet kanë zgjedhur formën më të qytetëruar të artikulimit të mllefit të vet, vezën. Shiko në Gjermani, Britani e vende të tjera dhe shiko çfarë ndodh në protesta. Ne ia kemi dalë të protestojmë masivisht dhe paqësisht, kjo duhet të na bëjë krenarë të gjithëve.



