
Ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në moshën 88-vjeçare Papa Françesku.

Lajmi i hidhur bëhet me dije nga Vatikani përmes një njoftimi. Ai mbylli sytë në rezidencën e tij në Casa Santa Marta të Vatikanit, thotë shërbimi i lajmeve të Vatikanit.
Kardinali Farrell, njoftoi:
"Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku. Në orën 7:35 të mëngjesit të sotëm peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit.
E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë me fisnikërinë dhe vlerat universale të ungjillit".
Disa javë më parë, Papa Françesku doli nga një spital në Romë pasi u trajtua për pneumoni në të dyja mushkëritë. Dy javë pasi la spitalin, Papa u shfaq para besimtarëve në Sheshin Shën Pjetër.
Jorge Mario Bergoglio, i lindur më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires, Argjentinë, ishte Papa i 266-të i Kishës Katolike.
Nga viti 1998 dhe deri në zgjedhjen e tij si papë, ai shërbeu si Arqipeshkv i Buenos Airesit dhe u bë kardinal në vitin 2001 nga Papa Gjon Pali II.
Përveç gjuhës amtare, spanjishtes, Papa Françesku fliste rrjedhshëm italisht dhe gjermanisht.
Françesku ishte i pari jezuit dhe i pari amerikano-latin që u zgjodh si Papë në vitin 2013-të. Po ashtu ai ishte Papa i parë jo-europian në 1200 vitet e fundit.
Vlen për t'u theksuar që më 21 shtator 2014 ai realizoi vizitën e parë në Europë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.
Papa mbajti edhe një meshë solemne në Sheshin Nënë Tereza, një fjalim dhe takim në Presidencë dhe shëtitje shenjtëruese në bulevardin e kryeqytetit mes mijëra pjesmarrësve dhe besimtarëve.
Gjatë pontifikatës së tij ai kreu disa reforma dhe shumë nga mesazhet e tij nga klima, emigrantët apo vaksinat, kanë mbetur në histori.



