
Kina ka miratuar një ligj të rreptë për privatësinë në internet, i cili hyn në fuqi që nga 1 nëntori. Qëllimi është të parandalohet që kompanitë të mbledhin të dhënat e përdoruesve, çka u jep mundësi t’i përdorin më pas në favor të vet. Sipas rregullave të miratuara nga Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Popullore Kombëtare, dega legjislative e parlamentit kinez, kompanitë shtetërore dhe private që trajtojnë informacionin personal duhet të zvogëlojnë mbledhjen e të dhënave dhe të kenë pëlqimin e përdoruesit.
Megjithatë, aparatet shtetërore të sigurisë do të mbajnë aksesin në të dhënat personale.
Rregullat e reja janë konfiguruar si një goditje e mëtejshme ndaj sektorit të teknologjisë kineze, ku Didi dhe Tencent janë lojtarët e fundit të mëdhenj që kanë përfunduar në shënjestrën e autoriteteve në muajt e fundit për keqpërdorimin e të dhënave personale. Ligji është modeluar mbi bazën e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian (GDPR), ndër më të rreptët në botë për sektorin online dhe synon të mbrojë ata që "janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve mbi të dhënat personale të përdorura për profilizimin e përdoruesve dhe algoritmet", tha një zëdhënës i Asamblesë Popullore Kombëtare për agjencinë shtetërore të lajmeve Xinhua. Për shembull, bizneset nuk do të jenë në gjendje të vendosin çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim, bazuar në historinë e blerjeve të klientëve, e cila është një praktikë e zakonshme e bizneseve online kineze.
Të dhënat personale të qytetarëve kinezë nuk mund të transferohen në vende me standarde më të ulëta sigurie se Kina, çka përbën një problem serioz për kompanitë e huaja, duke filluar me ato amerikane. Kompanitë që nuk respektojnë ligjin mund të përballen me gjoba deri në 50 milion juanë (7.6 milion dollarë) ose pesë për qind të të ardhurave vjetore. Në rastet e shkeljeve të rënda, kompanitë rrezikojnë të humbin licencat e biznesit dhe të detyrohen të mbyllen. Të dhënat personale të ndjeshme përfshijnë informacione që, nëse rrjedhin, mund të çojnë në "diskriminim ose të kërcënojnë seriozisht sigurinë e individëve", përfshirë racën, përkatësinë etnike, fenë, të dhënat biometrike, ose ku ndodhet një person - një praktikë që bie ndesh me qytetet kineze të mbushura me kamera survejimi dhe pajisje për njohjen e fytyrës, të cilat mbledhin informacion biometrik çdo ditë.



