
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, i pranishëm në Korçë, në një takim me të rinjtë, parashtroi planin e tij për të cilin tha se do të nxjerrë Korçën dhe gjithë Shqipërinë nga kriza. Sipas Bashës, gjatë tetë viteve të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, Korça ka mbetur në “vend numëro” dhe se është përdorur nga ai “vetëm si resort i fundjavës”.
Ndalur te plani i tij, Basha tha se në qendër ka zgjimin kombëtar ekonomik dhe se është hartuar nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj.
"Ajo që Korça nuk ka dhe nuk ka patur këto 8 vite, ka qenë një qeverisje që të kuptonte problemet e familjeve korçare, që t’i zgjidhte ato. Korça do të rimarrë vendin që i takon dhe do ta fillojë në atë fushë me të cilën është bërë lokomotivë e zhvillimit tonë kombëtar, me fushën e dijes, arsimit. Pa dyshim ekonomia është një nga problemet e Korçës. E di se e vetmja gjë që nuk ju mungon është dëshira për punën. Por këto 8 vite Korça, si gjithë Shqipëria mbeti në vend numëro. Kryeministri në ikje Korçën e ka përdorur vetëm si resortin e fundjavës, por nuk është kujtuar t’i japë Universitetit të Korçës fondet e mjaftueshme. Ne vijëm këtu jo me premtime boshe, por me një plan që e kemi hartuar për 2 vite me ekspertët më të mirë. Një plan që do ta nxjerrë Shqipërinë dhe Korçën nga kriza e thellë ku ndodhet. Në qendër të këtij plani është një zgjim kombëtar ekonomik që do mundësojë që burimet e jashtëzakonshme të mos mbeten më te një grusht personash që nuk ngopen duke i zhvatur”, tha Basha.
Basha: Pas 25 prillit investitorët do gjejnë një kryeministër europian si unë dhe rini të trajnuar
Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se qeveria e tij do të ofrojë 20 trajnime të ndryshme profesionale në mënyrë që pas 25 prillit investitorët të mos gjejnë vetëm një kryeministër si ai që vepron si europian, por edhe një rini të trajnuar sipas standardeve europaine.
"Qeveria ime do të ofrojë 20 trajnime të ndryshme profesionale për studentë nga teknologjia tek turizmi, inxhinieria etj që kanë nevojë tregu i punës. Ne nuk i trajnojmë për t'i larguar drejt Europës, por një plan që të mundësojë kualifikimin e të rinjve sipas standardeve europiane dhe që investitorët europain që po hapin me mijëra vende pune në vendet e rajonit kur të vijnë në Shqipëri pas 25 prillit që jo vetëm të gjejë një kryeministër që mendon dhe vepron si europian, por edhe një rini të trajnuar sipas standardeve europiane. Ne e dimë sëmundjen e këtyre 8 viteve dhe pse kemi ngecur në 8 vite në vendnumëro. Po të kishim ecur para të gjitha këto do të kishin nisur tashmë siç kanë nisur në vendet fqinje. Askush nuk do ju ul më kokat studenteve shqiptarë", tha Basha.
Basha pritet me ovacione në Korçë: Ju po e prini ndryshimin
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi nga Korça se ndryshimi që qytetarët kërkojnë tashmë është shumë afër. Ai mbajti para turmës që thërriste “Rama ik”, një fjalë të shkurtër në shenjë mirënjohje për pritjen e bërë.
“Ndonëse po lëmë pas 8 vite të mbushura me vuajtje kurrë nuk kam gjetur kaq shumë gëzim në zemrat e korçarëve. Tek njerëzit që ecnin nëpër rrugë.
Tek qytetarët në urbane. Ndryshimi po vjen. E keni ndrydhur brenda zemrës dëshirën për ditën që po afron. Një ndryshim që Korça dhe korçarët e presin prej kohësh për të kthyer dinjitetin. Ju po e prini ndryshimin”, tha Basha.
Më pas Basha ka bërë ndalesën e radhës në një vend të veçantë për qytetarët korçarë. Basha ka hyrë në vendin e quajtur ‘Lëndina e lotëve’ që për qytetarët korçarë ka konceptin e ndarjes së qytetit me ata që emigronin.
Në këtë vend, për vite me radhë, kanë ndezur qirinj, mes lutjeve dhe shumë lotëve, për fëmijët e tyre që niseshin për emigrimin.
Këtë ritual e kreu dhe Basha, duke ndezur një qiri, për një nga problemet që vazhdon të jetë aktual edhe për ditën e sotme, siç është dhe emigrimi. Basha në daljet e tij publike në fushatën elektorale, ka nënvizuar faktin se një nga plagët që po vuan sot vendi është largimi i të rinjve nga Shqipëria.



