
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është paraqitur sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzat.
Tahiri e cilësoi të montuar politikisht procesin ndaj tij dhe shtoi se nuk ka nevojë për mbrojtjen e askujt.
“Ky është një proces i turpshëm, politik, i komanduar. Jam mësuar me vështirësi, do ia dal edhe kësaj here. Mos u përpiqni të gjeni në fjalët e mia mesazhe të koduara. Nuk kam të tilla, nuk kam marrëdhënie nëntokësore me askënd. Jam i drejtpërdrejtë dhe nuk kam kohë të merrem me të pavërteta. E vërteta ime është e kundërta e asaj që mendon prokuroria. Nuk kam nevojë ta them unë këtë. Një prokurori shumë serioze dhe gjykatë si ajo italiane më dhanë të drejtë mua. Të gjitha faktet që keni dëgjuar deri më sot, prokuroria dhe gjykata italiane i kanë hedhur poshtë. Nuk ju mjafton kaq për të kuptuar sa i montuar politikisht është ky proces”, tha ai.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për materiale kompromentuese që mund të përdorë si shantazh, Tahiri e hodhi poshtë mundësi.
“Këtij vendi kaq të vogël i mjafton Baba Taku me çantën e zezë. Nuk ka nevojë edhe për mua”, tha ai.
Një ditë më parë, organi i akuzës mbylli hetimet për ish-ministrin Tahiri. Prokurorët e çështjes Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arenc Çela kanë ngritur ndaj Tahirit akuzat për “trafikim narkotikësh, të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror”.
Krahas Tahirit, prokuroria ka ngritur akuza edhe për 3 ish-zyrtarët e lartë të policisë: Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.



