
Dhe pse dy shoqëritë e mbledhjes së borxhit dhe mikrokreditit janë bllokuar nga Prokuroria e Tiranës dhe çështja ka shkuar për hetim në Prokurorinë e Posaçme, mijëra qytetarë vazhdojnë të enden në dyert e institucioneve për të kërkuar zhbllokimin e pronave të tyre.
Avokati Gentian Serjani, thotë për emisionin Kronos në MCN TV se ka raste të shumta jo vetëm ku pronat janë bllokuar, por dhe llogaritë bankare të qytetarëve, pasi bankat kanë zhbllokuar vetëm minimumin jetik.

“Ka ende qytetarë që kanë llogaritë e sekuestruara në masa më të mëdha se ajo e detyrimit që kanë, por kanë dhe pronat e bllokuara, askush nuk ka vepruar dhe nuk dihet se si do të zgjidhet kjo çështje pasi dhe në gjykatë ka vonesa sepse përmbaruesit që kanë ndërmarrë veprimet në shkelje (për të cilën dhe u është hequr ose pezulluar licenca) nuk kanë dorëzuar dosjet. Duhet që institucionet publike të merren me këtë çështje dhe të prodhojë urdhra, rregullore që ta zgjidhin ngërçin që është krijuar.” thotë Gentian Serjani.
Ekspertët kërkojnë që institucionet dhe sidomos Kuvendi, të veprojnë në mënyrë të shpejtë për të ndërmarrë nisma ligjore që të zgjidhin këtë situatë.
“Kërkohet një zgjidhje për qytetarët që janë vënë në kushte detyruese për të nënshkruar kontrata të reja në marrëdhënie skllavëruese me institucionet financiare jo-banka. Nuk bashkohem me arsyetimin e Bankës së Shqipërisë që ajo do t’i trajtojë çështjet rast pas rasti. Këtu ka nevojë për ndërhyrje ligjore, po ashtu Ministria e Drejtësisë duhet të forcojë rolin mbikëqyrës të përmbaruesve privatë.” thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.
Juristët kërkojnë që drejtësia të hetojë çështjen deri në fund dhe të nxjerrë përgjegjësitë dhe për institucionet që e kanë toleruar, në mënyrë që të krijohet precedenti që skema të tilla të mos krijohen në të ardhmen.
“Ka patur problematika në gjykata dhe prokurori. Shumë kallzime penale të bëra në prokurori janë pushuar ndër vite dhe nëse do të ishin ndjekur, nuk do të ishim në këtë situatë. Gjykatat kanë mbajtur qëndrim neutral në këto raste dhe pse ka patur qindra padi për abuzime nga qytetarët. Drejtësia duhet ta hetojë këtë çështje me përgjegjësi, në mënyrë që të shihen ata që e kanë krijuar skemën dhe ata që e kanë lejuar, sepse nuk ka mundsi që të vazhdojë kaq vjet një skemë abuzimi kaq e madhe.” thotë avokati Redi Ramaj.
Skema e abuzimit lulëzoi për vite me radhë dhe pse kishte një denoncim në Prokurorinë e Përgjithshme nga Ministria e Drejtësisë që në shkurt të vitit 2020.
Në emër të licencës për të mbledhur kreditë e këqija që qytetarët kishin në banka, ata shtuan vlerat e borxheve dhe detyruan mijëra njerëz të firmosnin marrëveshje të reja huash me interesa dhe më të lartë. Spiralja e borxheve ku ata kishin hyrë nuk do të mbaronte kurrë.
Ngjarjet e abuzimeve u lejuan për vite me radhë dhe dëmi që është bërë për të paktën 30 mijë familje është i vështrë për t’u zgjidhur. Çështja tashmë ka shkuar në duart e drejtësisë së re, por fati i hetimeve nuk dihet, as i veprimeve administrative që institucionet duhet të marrin për të vendosur në vend të drejtën për familjet që kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë padrejtësisht kredi të dhëna me detyrim me insteresa të lartë dhe prona të bllokuara ose të shitura. Për ta asgjë nuk ka ndryshuar.
Dyshohet se dëmi i shkaktuar ndaj qytetarëve kap vlerën 30 milion euro, por deri më sot Prokuroria e Tiranës ka arritur të gjurmojë dhe bllokojë vetëm 10 milion euro. Çështja tashmë ka shkuar për t’u hetuar nga Prokuroria e Posaçme pasi abuzuesit dyshohen si grup i strukturuar kriminal. në dorën e SPAK është një tjetër çështje e dërguar për moskompetencë nga Prokuroria e Tiranës ku kërkohet hetimi i përgjegjësisë që ka patur guvernatori i Bankës së Shqipërisë.



