Eliana Shkurti, shefe e Kabinetit pranë Bashkisë Sarandë, tha në “Mcn Economy” se këtë vit në qytetin bregdetar të Jugut priten 30 për qind më shumë turistë se sa vitin e kaluar. Ajo vuri në dukje se pararezervimet janë të larta dhe pritet një rritje e prurjeve edhe nga Spanja.
E pyetur mbi faktin që Parku i Rozafës ka kaluar Parkun e Butrintit për numër vizitorësh, Shkurti tha:
Ne gëzohemi për Parkun e Rozafës. Kjo ka të bëjë më tepër që ata janë më shumë një destinacion dimëror, ndërkohë që ne ditët e arta i kemi nga fundi i marsit, fillimi i prillit deri në fund të nëntorit. Nuk mund ta shohim zhvillimin e turizmit brenda vendit si konkurrencë, sepse ne gëzohemi kur ka paketa që sjellin një kombinim të të gjitha destinacioneve. Ne gëzohemi që Shqipëria është një trend për vizitorët e huaj, sepse ardhja në Shqipëro do të sjellë një zhvillim të destinacionit në tërësi”.
Duke folur mbi sezonin e ri 2024, ajo u shpreh:
Bashkia e Sarandës mund të themi me bindje të plotë që ka qenë një rast suksesi për vitin 2023, këtë e kemi parë nga review-t e atyre që kanë vizituar qytetin. Ne kemi pasur një punë voluminoze që qyteti të ishte në standard-et e tij më të larta. Kemi filluar përgatitjet për sezonin e ri, pasi fluksi që pritet sivjet duhet të jetë 30 për qind më i rritur, kështu që ne kemi filluar që tani si nga ana operacionale, me Task Forca-t dhe grupet e terrenit, por edhe me promovimin e qytetit tonë dhe gjitha resurseve. Kryetari ka qenë në Madrid. Spanja është një destinacion i ri që do ketë rritje dhe prurje të reja. Së shpejti do jemi në Bari dhe Berlin. Vitin e kaluar kemi pasur rreth 1 milion turistë, dhe presim 30 për qind më shumë. Parazervimet janë të larta, duke filluar nga janari 2024”.



