
Sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Industrisë së Naftës së Serbisë synojnë Rusinë, jo Serbinë, tha zyrtari i lartë amerikan Riçard Verma, nga Beogradi.

Nuk do të ketë pasoja ekonomike për Serbinë nëse pronësia ruse e NIS-it hiqet. Rusia nuk po investon në të ardhmen e Serbisë, sepse fitimet që ajo realizon nga NIS nuk investohen në Serbi. Ndryshimi i strukturës së pronësisë do të kontribuojë për më shumë paqe në rajon. Qëllimi është të hiqet pronësia ruse nga këto kompani. Ne do ta ndihmojmë Serbinë t'i diversifikojë burimet e saj të energjisë dhe të jetë e pavarur në këtë drejtim.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç kërkoi më shumë kohë për të sqaruar pasiguritë në lidhje me sanksionet e fundit.
Rreth 30 vende janë prekur nga këto sanksione në mënyra të ndryshme. Kudo bëhet fjalë për asete, kapital dhe interesa ruse. Fakti që sanksionet ndaj NIS-it nuk kanë për qëllim Serbinë është “ngushëllim i dobët”. Duhet ta dimë saktësisht se cilat janë kushtet, dhe pastaj do të mund të flasim me palën ruse për gjithçka.
Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom, që ka shumicën e aksioneve që nga viti 2008. 56.15 për qind e aksioneve janë ruse, kurse 29.87 % janë në pronësi të Serbisë. “Gazpromi” është nën sanksione evropiane dhe amerikane, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.



