
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se NATO duhet të “rikonceptohet” për të krijuar një ndarje më të drejtë të barrës, duke argumentuar se aleanca ushtarake mund të mbetet e fortë vetëm nëse vendet evropiane investojnë më shumë në mbrojtjen e tyre.
Rubio i bëri këto komente gjatë një seance dëgjimore në Senatin e SHBA-së, ku senatorja demokrate Jeanne Shaheen e pyeti nëse Shtetet e Bashkuara ende përfitojnë nga NATO.
“Po, përfitojmë,” tha Rubio. Ai shtoi se problemi nuk është vetë NATO-ja, por mënyra se si ndahen përgjegjësitë mes anëtarëve.
“Edhe NATO duhet të rikonceptohet sa i përket detyrimeve,” tha ai. “Shumë presidentë janë ankuar për këtë. Mendoj se ky president thjesht është më i zëshëm se të tjerët në ankesën e tij”.
Rubio shtoi se aleancat janë të rëndësishme, por theksoi se partnerët duhet të kenë edhe forcën ushtarake për të kontribuar.
“Partnerët me të njëjtat bindje duhet të kenë kapacitete,” tha ai, duke argumentuar se buxhetet evropiane të mbrojtjes janë dobësuar ndër vite.
Ai tha se vendet e pasura evropiane janë mbështetur te ombrella e sigurisë së SHBA-së, gjë që u ka lejuar të shpenzojnë më shumë për programe sociale në vend të mbrojtjes.
Rubio shprehu besimin se NATO do të vazhdojë të funksionojë, duke theksuar se të dyja palët varen nga njëra-tjetra.
“Partnerët tanë e kuptojnë rëndësinë e pranisë së SHBA-ve në NATO, pa SHBA-të, nuk ka NATO,” tha ai. “Dhe ne e kuptojmë se, që NATO të jetë më e fortë, partnerët tanë duhet të jenë më të fortë.”



