Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagon pas shpalljeve të fundit non grata nga Departamenti amerikan i Thesarit.
Koha na dha prapë të drejtë! Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako janë bedelët me të cilët Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve që kërkonin ndryshim. Në argumentimin nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara për sanksionet ndaj Aqif Rakipit theksohet: “Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”. Ky paragraf tregon se si i “fitoi” zgjedhjet Edi Rama në 2017 dhe në 2021.
Me anë të një postimi në Facebook, Basha thotë se kriza në të cilën ndodhet sot Shqipëria, është pasojë e shkatërrimit të institucioneve demokratike dhe të procesit zgjedhor, që dje u konfirmua edhe nëpërmjet sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, edhe pse këtë duhet ta kishin bërë organet ligjzbatuese shqiptare, ai është një lajm i mirë që partneri strategjik SHBA është fokusuar në luftën kundër korrupsionit që po minon demokracinë dhe po shkatërron mirëqenien e shqiptarëve.



