Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e cilëson në shkelje të ligjit thirrjen e prokurorisë në kuadër të hetimeve për lobimin e PD-së në SHBA nëpërmjet një kompanie ruse. Me anë të një letre dërguar organit të akuzës, kreu i PD-së dhe dy drejtuesit e tjerë demokratë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, shprehen se në thirrjen e prokurorisë mungojnë faktet e nxjerra nga hetimet, çka e bën atë të paplotë.
“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”, shprehet në letrën e tij kryetari i PD, Lulzim Basha.
Ai e mbyll letrën duke theksuar se “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.
Në njoftimin e datës 12 qershor, prokuroria ka kërkuar që Basha, së bashku me ish-deputetin dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani, dhe Ilir Dervishin, ish-shef i Financës, të paraqitet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë të hënën në orën 09:30, për të dhënë dëshminë e tij.
Të tre zyrtarët e Partisë Demokratike, në cilësinë e të pandehurve, ishte parashikuar të pyeteshin në lidhje me financimin e kontratave lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hetimet për çështjen në fjalë nisën kryesisht nga prokuroria pesë muaj më parë, pas dyshimeve se Partia Demokratike kishte deklaruar në KQZ të dhëna të rreme për financimin e kontratave.
Nga verifikimet, selia blu rezulton të ketë deklaruar në KQZ, se ka paguar 125 mijë dollarë për lobim, në një kohë që kompania e Nik Muzin deklaron tri pagesa në shumën e 675 mijë dollarëve për punën e kryer për llogari të Partisë Demokratike. Konkretisht, pagesa e parë është bërë me datë 24 mars 2017 nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh. Dy pagesat e tjera janë kryer nga Partia Demokratike. E para me datë 27 mars me vlerë 25 mijë dollarë dhe pagesa e dytë prej 500 mijë dollarësh është kryer më 9 qershor.



