Sërish izolim në Kinë për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19. Autoritetet lokale kanë urdhëruar izolimin për një qytet me 9 milionë banorë. Bëhet fjalë për qytetin industrial të Shenyang, në verilindje të Kinës, ku ka shumë fabrika, duke përfshirë edhe atë të prodhuesit gjerman të makinave BMW.
Shenyang është qendra e provincës Liaoning, në kufi me atë të Jilin, ku epiqendra e kësaj vale të fundit epidemike vjen për shkak të variantit ngjitës Omicron.
Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit, Kina ka vendosur që të fusë në izolim banorët e qytetit në shtëpitë e tyre.
Në orët e fundit, Ministria Kineze e Shëndetësisë ka njoftuar 4770 raste të reja pozitive në mbarë vendin. Kina ka lëvizur shpejt javët e fundit për të ndaluar koronavirusin, autoritetet lokale kanë vendosur bllokada lokale, teste gjithëpërfshirëse dhe mbyllje në shumë qytete.
Për herë të parë në më shumë se një vit, të shtunën u konfirmuan edhe dy vdekje të reja nga Covid. Dy viktimat jetonin në provincën Jilin, ku javën e fundit janë vendosur kufizime të reja për udhëtimet. Për të menaxhuar valën e re të pandemisë, në provincën Jilin janë ndërtuar 8 spitale të përkohshme dhe dy qendra karantine.
Nga ana e tij, Presidenti kinez Xi Jinping konfirmoi politikat e “tolerancës zero” ndaj Covid-19, megjithatë, duke sinjalizuar disa ndryshime për shkak të presionit gjithnjë e më të madh të ekonomisë.



