Shqipëria ka hyrë në skenarin tjetër për përballimin e gjendjes se krijuar për shkak të pandemisë së Covid-19.
Nisur nga kjo gjendje, spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID, sipas skenarëve, për të lehtësuar edhe fluksin në spitalin Infektiv.
Mësohet se 59 të infektuar, deri tani, janë brenda kapacitetit që ofron Spitali Infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.
Për më tepër, referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, të shtruar për kurim në këtë spital janë vetëm 30 persona, tre prej të cilëve në gjendje më të rënduar dhe në terapi intensive.
Spitali Infektiv është në gjendje që të presë deri në 80 pacientë, duke llogaritur edhe një zgjerim me dy shërbime të tjera, numri i përgjithshëm shkon në 120 shtretër.
TVT.al, arriti të komunikojë me Ministrinë e Shëndetësisë, e cila deklaroi se për momentin personat e prekur nga koronavirusi në vendin tonë do të drejtohen për kurim drejt Spitalit Infektiv.
Sipas saj, në tejkalim të këtij numri, pacientët do të zhvendosen drejt spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku parashikohet skenari i trajtimit deri në 200 pacientë.
“Ka shumë dinamikë në lidhje me situatën e krijuar dhe të thuash se, “Po”, tani do shkohet drejt këtij skenari, nuk mund ta themi”, tha Etiola Kola, këshilltare për mediat e ministres Ogerta Manastirliu.
Megjithatë, Kola tha se përveç spitalit “Shefqet Ndroqi”, ministria ka parashikuar edhe disa struktura të tjera, nëse do të jetë e nevojshme.
Ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se po merren masat për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarë, të cilët i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar stafet mjekësore në terren.
TVT.al i komunikuan se përgatitjet për lirimin e ambienteve të këtij spitali, njohur ndryshe edhe si “ish-Sanatoriumi” kanë filluar prej kohësh.



