Dy muaj para vendimit për negociatat, eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, viziton Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Varhelyi mbërrin sot fillimisht në Shkup, ndërsa më 16 shkurt do të jetë në Tiranë.
Gjatë vizitës në Shkup, Varhelyi do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin teknik, Oliver Spasovski, dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi. Në axhendën e takimeve janë edhe kreu i LSDM, Zoran Zaev, dhe kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.
Ndërsa në Tiranë, Varlehyi pritet të takohet me presidentin Meta, kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Ruçi dhe përfaqësues të opozitës.
Ai pritet të vizitojë edhe zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Vizita e tij në Shkup dhe Tiranë vjen në një kohë kur dy vendet e Ballkanit Perëndimor presin një sinjal pozitiv për hapjen e negociatave, pas dështimit për ta arritur një objektiv të tillë në samitin e tetorit të kaluar.



