Pedagogu i Arteve Ardian Isufi duke folur në emisionin “Stay Tuned” në MCN TV deklaroi se gjithmonë ka munguar mbështetja reale për artin në Shqipëri nga të gjitha qeveritë.
Isufi tha se deri më tani format e mbështetjes në vendin tonë kanë qenë arkaike.
Gjithmonë ka munguar mbështetja reale nga të gjitha qeveritë. Ka forma të mbështetjes, por gjithmonë në Shqipëri kanë qenë forma arkaike, kanë ngelur vetëm brenda njohjeve, të njoh unë ty të jap dorën. Kjo e ka dobësuar çështjen e një kompeticioni real me sfidat e artit. Në radhë të dytë, ne jemi jashtë sistemit të artit, duhet që në këtë sistem të artit të kesh një stacion. Nga ministër në ministër humbin kontaktet, sepse janë gjithmonë individuale. Një ministri identifikohet me njëshin, jo me skuadrën dhe institucionin. Është e kundërta në botë. Lidership duhet të lërë bazamentin e punës që lë vend për vazhdimësi. Ke pafundësisht artistë që s’kanë studio, që s’kanë mundësi të shprehin artin e tyre. Qeveria qendrore dhe vendore po ta ndjenin atë shqetësim real do të jepnin disa kushte që i ka Berlini, Londra, çdo qytet që ndihmon në punën e përditshme të artistëve. Më shumë ka bërë individi, ka individë që kanë sakrifikuar, e kanë sfiduar ambientin ku ne jetojmë”.
I pyetur nëse ka ndryshuar Universiteti i Arteve me një kryeministër artist në qeveri, Isufi tha se kishte shprese se Rama do bënte më shumë për kulturën dhe artin në tërësi.
Ai vë në dukje se politika është vjetruar në nisma dhe mesazhe, dhe shtresa e mesme, përfshi pedagogët, po largohet nga vendi.
Duhet parë nga të dy anët e medaljeve, që Universiteti i Arteve janë nën ligjin e ri të arsimit. Ka një element pozitiv kohët e fundit që ka marrë statusin e veçantë që s’i zgjidh të gjitha problemet, sa i takon pozicionit të një pedagogu, artisti, kërkimit shkencor. Mendoj që restaurimi i godinës së vjetër është element pozitiv, por sfidat e reja janë shumë të dyshimta, rishikimi i ndërtesës së re është një problem që duhet të ecë në një dialog me universitetin. Të qenurit të një kryeministrit artist, mendoj që ai duhet të bënte më shumë. Unë e dua shumë opozitën, por ndonjëherë ka probleme me etiketimet. Opozita duhet të ketë moment të ri të fjalës, etiketimit, që duhet të jetë më i moderuar, më i Perëndimit, të mos mbetemi te termat e vjetër që u ka ikur koha. Kisha shpresë që Rama do bënte më shumë për artin dhe kulturën në tërësi. Ne jemi të rankuar në vend të fundit për financimin në arsim, jo vetëm për pagat e pedagogëve. Edhe gjithë ajo punë e madhe që u bë për sensibilizim të qeverisë, që ne na mori për armiq, ne s’jemi armiq por do donim përmirësimin e kushteve në universitete dhe Universitetin e Arteve. Financimi s’është vetëm rritja e rrogave të pedagogëve, ka të bëjë në radhë të parë me kërkimin shkencor, që është lënë në gjendje të nderë. Shtresa e mesme, përfshi pedagogët, po ikin nga sytë këmbët sepse shohin që s’ka shpresë. Politika është vjetruar në nisma, në mesazhe”.



