Prej tri ditësh komuniteti bektashi Alevit i Trakisë në Greqinë veriore gëzon zyrtarisht statusin e pakicës fetare të pavarur. Kjo pasi parlamenti grek votoi me konsensus projektligjin që i jep komunitetit alevit Bektashi autonomi të plotë nga pjesa tjetër e Komunitetit Mysliman në Greqi që I takon shumicës sunite.
Statusi i ri u mundëson bektashinjve alevitë të mos jenë më nën juridiksionin e Myftinive të Trakisë, të cilat tradicionalisht mbikëqyrin çështjet e pakicës myslimane të këtij rajoni kufitare me Turqinë. Ligji krijon një komitet të veçantë menaxhimi për të administruar pronat fetare të komunitetit, të njohura si vakëfe. Njohja po ashtu nuk ndikon në të drejtat e garantuara për pakicën myslimane sipas Traktatit të Lozanës të vitit 1923.
Menjëherë pas miratimit të ligjit ministrja se Arsimit, Çështjeve Fetare dhe Sportit, Sofia Zaharaki bashkë me relatorin e ligjit, deputetin Angjelos Sirigos kryen një vizitë në fshatin Russa në Evros të banuar nga bektashinj alevitë.
“Greqia na bashkon sepse jemi të gjithë qytetarët e saj. Demokracia na bashkon sepse të gjithë kemi të njëjtat të drejta dhe detyrime. Liria na bashkon, shpresa na bashkon”, tha ministrja Sofia Zaharaki.
“Ne kemi Traktatin e Lozanës që mbron të drejtat e pakicës myslimabe dhe tani ata që janë alevi bektashinj kanë një mbrojtje tjetër, atë të votuar nga Parlamenti Grek. Fëmijët tuaj do të jenë në gjendje të mësojnë lirisht besimin tuaj në shkolla. Mbrojeni teqen e Roussa-s dhe monumentet e shenjta”, tha deputeti i Demokracisë së Re, Angjelos Sirigos.
Alevitët bektashinj janë një komunitet i ndikuar nga sufistët me rrënjë të thella historike në Ballkan dhe janë fetarisht të ndryshëm nga shumica sunite. Njohja e tyre zyrtare nga shteti grek adreson një çështje dekadash dhe shihet si një veprim strategjikisht i rëndësishëm në rajonin e ndjeshëm të Trakisë, i cili kufizohet me Turqinë. Ky zhvillim vjen në kohën kur edhe në Shqipëri po diskutohet propozimi për krijimin e Shtetit Bektashi, një nismë që gëzon mbështetjen e shumicës socialiste dhe kreut të saj Edi Rama.



