
Kreu i një organizate jofitimprurëse me qendër në Kiev që ndihmon bjellorusët që të shpëtojnë nga persekutimi është gjetur i vdekur në një park në kryeqytetin ukrainas, tha policia.
Vitaly Shishov, kreu i “Shtëpisë Bjelloruse” në Ukrainë (BDU), u raportua i zhdukur nga partneri i tij të hënën pasi ai nuk u kthye nga vrapimi dhe nuk përgjigjej në telefon.
"Qytetari bjellorus Vitaly Shishov, i cili ishte zhdukur dje në Kiev, u gjet sot i varur në një nga parqet e Kievit, jo larg vendit ku ai jetonte," tha policia në një deklaratë, duke shtuar se ata kishin hapur një hetim vrasjeje dhe do të hetonin për një “vrasje të dukur si vetëvrasje”.
Miqtë e Shishovit thanë se ai ishte ndjekur nga disa persona "të huaj" ndërsa vraponte kohët e fundit, tha organizata e të drejtave të njeriut Viasna në Telegram.
Organizata tha të hënën se nuk mund të kontaktonte me Shishov, i cili ishte larguar nga banesa e tij në orën 9 të mëngjesit (0700 BST) dhe supozohej të ishte kthyer një orë më vonë.
Ukraina, Polonia dhe Lituania janë bërë strehë të sigurta për bjellorusët gjatë një “sulmi” të dhunshëm nga presidenti i vendit, Alexander Lukashenko , kur shpërthyen protestat masive pas zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Autoritetet Bjelloruse i kanë karakterizuar protestuesit anti-qeveritarë si kriminelë ose revolucionarë të dhunshëm të mbështetur nga perëndimi, duke i përshkruar veprimet e agjencive të zbatimit të ligjit si të përshtatshme dhe të nevojshme.



