
Sipas INSTAT, në vitin 2024, Shqipëria mirëpriti 11.7 milionë turistë të huaj, një rritje prej 15.2% krahasuar me 2023.
Vasil Bedinaj, kryetar i Shoqatës Unioni Turistik dhe administrator hotelesh tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se kjo shifër përfaqëson më shumë vizitorët sesa turistët, përndryshe kjo gjë do të reflektohej dhe tek akomodimet në hotele.
Mëgjithëse, Bedinaj thotë se parashikimet për rritjen e numrit të turistëve në 2025 janë në rritje dhe se qarku i Vlorës do ndihmohet dhe me hapjen e aeroportit.
Ajo që mund të themi është se sektori i turizmit është ajo që duhet të flitet dhe diskutohet gjithë kohën për një vend siç jemi ne.
Shifrat mund të jenë edhe reale për aq kohë sa nga viti në vit ky sektor ka parë rritje graduale me të njëjtat shifra po t’i krahasojmë me 2021-2022; 2022-2023; 2023-2024, dhe presim 2025 që pritshmëritë tona përsëri do të jenë në ngritje.
Me parashikimet që kemi ne bazë të kontratave dhe rezervimeve që na kanë ardhur jemi përsëri 20-25% ngritje, aq më tepër që qarku i Vlorës do ndihmohet dhe me hapjen e aeroportit të Vlorës në fillim të qershorit. Shpresojmë të mos ketë devijim të kësaj gjëje sepse shumë operatorë të huaj kanë zgjedhur jugun e Shqipërisë për të bërë shitjet, tashmë kanë mbyllur të gjitha llojet e marrëveshjeve dhe pagesave dhe mos’hapja e aeroportit mund të na çojë atje ku ne nuk duam ta mendojmë.
Ky sektor ka ndjerë rritje në 3-4 vitet e fundit. Është prioritet për të gjithë mesa shoh sepse nuk është se prodhojmë diçka tjetër në Shqipëri.
Sektori turizmit është ai zinxhiri i gjatë që ngado që ta kapësh ka ndikim tek sektori i turizmit, bujqësia, blegtoria, supermarketete e të gjitha me radhë.
Mendoj se jemi në drejtimin që duhet dhe patjetër që ka punë ende për t’u bërë.
Ne mendojmë se kjo shifër është vizitorë dhe jo turistë.
Vlora për shembull nuk ka pasur një numër kaq të lartë turistësh, sepse nuk kemi parë që sektori i akomodimit të rritet me 20-25% çdo vit.
Ajo që bën që nuk e kemi informacion e saktë Në 2-3 vitet e fundit është trendi i Airbnb ai që na ka çakorduar pak në statistika reale sesa turistë kanë ardhur në qarkun e Vlorës.
Një tjetër pikë e nxehtë që ka shkaktuar debat mes administratorëve të njësive akomoduese dhe institucioneve shtetërore është vendosja e impianteve të ujërave të zeza. Bedinaj e konsideron këtë cështje të dështuar.
Për Vasil Bedinajn, një nga shqetësimet që vijon të mos marrë zgjidhje është edhe përmirësimi i infrastrukturës. Ndonëse ka rritje të njësive akomoduese, nuk është e njëjta gjë me transportin dhe orientimin e vizitorëve.



