
Fotografia e siguruar nga MCN TV, sugjeron momentin kur dyshohet se është marrë peng biznesmeni Gerond Meçe, për t’u tërhequr nga tenderat e AKSHI-t.
Në pamje shihet kur nga dera e pasme e krahut të shoferit të makinës, del një person i dytë i cili mban kapele të zezë, bluzë me krahë të shkurtra me ngjyrë të bardhë dhe jelek të ngjashëm me të Policisë së Shtetit me mbishkrimin “Policia”.
Në këtë moment del edhe shoferi i cili mban maskë të zezë në fytyrë, syze të zeza, kapele të zezë, xhinse ngjyrë blu, atlete të zeza, si dhe jelek të ngjashëm me të Policisë së Shtetit me mbishkrimin “Policia”.
Pengmarrja dyshohet se ka lidhje me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për pengmarrjen e biznesmenit Gerond Meçe, i cili u mbajt me forcë për disa orë nga persona të paidentifikuar.
Gjithçka ndodhi në garazhin e banesës së tij, ku persona të paidentifikuar të veshur me uniforme policie e mbajtën peng për disa orë, ku iu mbulua fytyra dhe u dërgua në një zonë të Elbasanit.
Nga aty, të dyshuarit i kërkuan që të telefonojë administratorin me qëllim për të tërhequr ankimin e bërë në Komisionin e Prokurimeve Publike.
Rezulton se ai ka telefonuar administratorin dhe menjëherë është bërë tërheqja e ankimimeve të dorëzuara për tendera me vlera të konsiderueshme parash.
Pas kësaj, Meçe është lënë i lirë. Më pas ai nuk ka bërë kallëzim në polici, por ka lajmëruar ambasadën gjermane.
Rezulton se ai është larguar nga Shqipëria bashkë me familjen.
Gjykata e Posaçme ka lënë në “arrest shtëpie” drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, e cila akuzohet për tre vepra penale shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Edhe zëvendës drejtoresha e AKSHI-t Hava Delibashi, është lënë në “arrest shtëpie”, po për të njëjtat akuza.
Ndërsa për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismailin është caktuar pezullimi nga detyra, i akuzuar për konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës e kryer në formën e grupit kriminal, grup të strukturuar kriminal si edhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
“Arrest me burg”, është caktuar ndaj Ergys Agasi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Arrest me burg”, është caktuar edhe ndaj Ermal Beqiri, për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.



