
Pasditen e djeshme, tre persona kanë mbetur të vrarë në ngjarje të ndodhura brenda pak orësh në Tiranë, Durrës dhe Berat.
Eksperti i sigurisë Faik Basha, në një analizë për “MCN Live”, u ndal veçanërisht tek rasti i Beratit, duke thënë se kishte qenë vetë dëshmitar i sjelljes së autorit gjatë fundjavës.
Të dielën ndodhesha me familjen në kalanë e Beratit dhe e pashë vetë autorin.
Ai kishte një sjellje arrogante dhe provokuese me vizitorët, sidomos me turistët. Më bëri përshtypje mënyra e ashpër me të cilën sillej dhe mungesa e çdo lloj përgjegjësie për sigurinë e njerëzve përreth.
Isha prezent kur në momentin kur një fëmijë i vogël hipi mbi kalin që ai mbante për foto me turistët, autori reagoi në mënyrë të ashpër dhe të pasjellshme ndaj prindërve.
Ishte një sjellje jonormale, që duhej të binte në sy të autoriteteve që menaxhojnë këtë hapësirë turistike.
Pas kësaj që dëgjova unë nuk e lashë djalin tim të hipte në kalë, se nuk kishte siguri.
Duke analizuar tre ngjarjet tragjike të djeshme, Basha theksoi se dy prej autorëve kanë qenë përsëritës të veprave penale, çka sipas tij tregon për një mungesë monitorimi institucional.
Në dy nga rastet, në Tiranë dhe në Berat, kemi të bëjmë me recidivistë.
Të dy autorët kanë kryer më parë vepra penale. Këta individë duhet të ishin nën vëzhgim nga strukturat përkatëse, sepse rreziku për përsëritjen e dhunës është real.
Është e domosdoshme të studiohen sjelljet e personave me precedent penal, veçanërisht para se të punësohen në ambiente publike ose turistike.
Këto ngjarje duhet të analizohen thellë. Kemi të bëjmë me një problem shoqëror që kërkon studim, parapërgatitje dhe ndërhyrje institucionale.
Sjelljet devijante nuk mund të injorohen. Çështja e sigurisë duhet rishikuar seriozisht.



