Sekretari i Përgjithshëm i “Omonias” Marin Suli në një lidhje me skype për edicionin e lajmeve në MCN TV tha se Jorgo Goro po përdoret si “limon i shtrydhur” pasi ai nuk është koka e grupit të strukturuar kriminal, por vetëm një ingranazh. Sipas Sulit nëse SPAK do zbatonte ligjin në burg do ishte Olta Xhaçka, bashkëshorti i saj dhe gjithë zinxhiri i PS në Himarë. Suli thekson që kreu i grupit të strukturuar kriminal është vet kryeministri Rama.
“Lajmi për dërgimin e Goros për gjykim nga Prokuroria gjoja Anti-Korrupsion, është një lajm i keq edhe në aspektin njerëzor, sepse ne askujt s’mund t’i urojmë burgun, por edhe në aspektin politik. Jorgo Goro nuk është ‘koka’ e strukturës kriminale të vjedhjes së pronave të Himarës, por është një nga ingranazhet, dhe dërgimi i tij për ‘shpërdorim detyre’, bashkë me disa punonjës të thjeshtë të bashkisë, është si e si që këta të lehtësojnë Olta Xhaçkën. Kjo vjen pasi Parlamenti e lehtësoi për të pestën herë Olta Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj. Në bankën e të akuzuarve duhet të ishin të gjithë këta si grup i strukturuar kriminal, dhe kreu i këtij grupi është kryeministri i vendit, që ka shpikur gjoja investitorët strategjike, burra ministresh, duhet të ishte edhe nënkryetari i Bashkisë Arqile Bollano për të njëjtën skemë vjedhjesh.
Në qoftë se SPAK-u do zbatonte ligjin PS e Himarës do gjendej në burg sot, bashkë me Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj, si dhe shumë investitorë strategjikë të shpikur që kanë grabitur pronat. Një ditë Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim për burrin e znj.Xhaçka, këtë s’besoj e ka ditur z.Rama. Z.Goro duke patur frikë, ka bërë të gjitha veprimet, për vjedhjen e 11 mijë metrave katrorë tokë publike në bregdet. Të gjitha këto vendime z.Goro i ka bërë i ndikuar nga vendimi i KKT-së dhe Këshillit të Ministrave. Z.Goro s’mund të jetë koka e këtij grupi kriminal, por është një ingranazh. Po përdorin për limon të shtrydhur një njeri të vdekur politikisht. Prokuroria i thënçin anti-Korrupsion është sektor i PS. Rama po përdor SPAK-un edhe si kamxhik edhe si justifikim të zullumeve, duke dënuar ingranazhet më të vogla të mekanizmit të vjedhjeve. Jorgo Goron po e dënon si shembull për të tjerët, që t’u thotë kujdes kur të vidhni, vidhni mirë, se do keni fatin e Goros. SPAK është seksion i PS dhe s’mund të vejë te punëdhënësi, Rama”.
Ndër të tjera Marin Suli u shpreh se vazhdojnë ende sot punimet në resortin e Artan Gaçit, bashkëshorti i ish-ministres.



