Familja Sallo përmes emisionit Xhadat ka bërë apel për ndihmë, për operacionin e vajzës së tyre 10 vjeçare e cila rrezikon të mbetet e verbër.
Familja, e cila përbëhet nga gjashtë antarë, katër fëmijët e vegjël dhe dy prindërit jetojnë vetëm me 124 mijë leke( të vjetra) në muaj.
Sueda, vajza 10-vjeçare duket se ka trashëguar problemin e të atit, Besnikut i cili ka statusin e verbërisë.
“Unë kam lindur kështu, jam me statusin e të verbërit, marrë një kemp prej 124 mijë lekë( të vjetra) dhe me këto mbaj familjen. Po ky nuk është problemi i vetëm që kam, pasi halli më i madh i imi ështe vajza, e cila nëse nuk bëhet operacion deri në moshën 15 vjeçare rrezikon të humb shikimin. Nëse ajo humbet shikimin për çfarë të jetoj unë?!-u shpreh ai.
Sueda e cila mezi shkruan dhe lexon, thotë se ka një ëndërr. Ajo dëshiron të bëhet edukatore.
“Unë jam 10 vjeç, shkoj në shkollë po kam problem me sytë dhe shokët më tallin. Dua të më ndihmojnë që të shoh dhe unë. Kur të rritem, dua të bëhem edukatore.” – tha ajo.
Mes lotësh nëna e Suedës thotë se është e vetmja që kujdeset për dy të semurë, por ajo që e lëndon më shumë është pamundësia për kryerjen e operacionit të vajzës, të cilin nuk kanë mundësi ta përballojnë.
Prindërit thonë se janë interesuar disa herë në spitalin shtetëror, ku kanë marrë përgjigjen se për këtë ndërhyrje mungojnë aparaturat.
Operacioni në spital privat kushton 4000€. Ndaj familja Sallo ndonëse e rrethuar nga varfëria, nuk kërkon as ushqim dhe as strehë, por i bën apel atyre që kanë mundësi dhe spitaleve private ta ndihmojnë për operacionin e vajzës së tyre 10- vjeçare e cila rrezikon të verbohet.



