
Berati është një nga qytetet më të vizituar në vitin 2017, me një numër rekord turistësh vit pas viti.
Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm ka publikuar një video përmes të cilës tregon investimet që janë kryer, të cilat sipas tij kanë transformuar këtë qytet duke zhvilluar turizmin dhe ekonominë.
“Pjesa e pedonales më parë ka qenë rrugë kalimi makine, ka qenë me pluhur dhe vizualisht nuk ka qenë e bukur siç është sot”, me këto fjalë të një sipërmarrësi të ri nis videoja e cila pasohet dhe me rrëfimin e një skulptoreje.
“Investimet e fundit në qytetin tonë duhen parë si një urë komunikimi. Duke qenë se qyteti ynë është një qytet me trashëgimin të lashtë kulturore atëherë këto ura komunikimi do të vijnë në ndihmë të këtyre zejeve për përparuar dhe për të ecur sa më përpara dhe për ti ardhur në ndihmë jetës turistike në qytetin tonë”, thotë Llambrini Dëna, skulptore qeramiste.
Në video thuhet se Rilindja urbane përmes 18 projekteve me vlerë 10.6 mln euro zgjoi potencialin turistik të qytetit për ta kthyer në nxitës të fortë të zhvillimit ekonomik.
“Ka çiltërsi. Dalim familjarë fëmijë argëtohen. Turistët janë të mahnitur me qytetin tonë, çdokush që vjen e përfshin një ditë në Berat”, vijojnë të rrëfejnë.
Me këto investime, impakti ishte i menjëhershëm, pasi në video thuhet se arriti të tërheqë në vit 150 mijë turistë në të gjithë botën, nga 39 mijë në vit që vinin kohë më parë.



