Ministri i LSI-së, Sokol Dervishaj, ka akuzuar kandidatin e PS-së në Sarandë, Alket Hyseni, se i ka bërë presion një 18-vjeçareje, anëtare e LSI-së.
Pas kësaj, ka reaguar vetë Hyseni me ane te nje statusi ne “Facebook”, ku shkruan:
“Rivalët tanë që dalin fshehurazi natën, joshin njerëzit me vende pune inekzistente dhe blejnë vota, janë tmerruar nga takimet tona me njerëzit dhe mbështetja masive e popullit të Sarandës. Ne bëjmë takime hapur, ditën për diell, dëgjojmë problematikat e qytetarëve dhe prezantojmë programin tonë qeverisës. Ne bëjmë shtet të fortë, rrisim ekonominë, punësimin dhe mirëqenien ndaj kemi mbështetjen absolute të popullit.
Më 25 Qershor perëndon periudha e partive shushunja që duan medoemos të hyjnë në oborrin e pushtetit për të vazhduar të ushqehen, rriten, forcohen duke mbajtur duart në tepsinë e pushtetit. Më 25 Qershor këto parti do të marrin vendin që meritojnë”, shkruan ai, ndërkohë që ka postuar edhe fotot kur ai takon vajzën për të cilën akuzohet, por edhe foto kur troket në dyert e PD-së, për t’iu kërkuar votën.



