Pedagogu në Institutin e Studimeve Evropiane Ermir Gjinishi duke folur në emisionin “Zonë e Lirë” tha se fjalimi i Ramës i mbajtur sot në Prishtinë ishte kulmi i hipokrizisë së tij me Kosovën.
Sipas Gjinishit, Edi Rama e nisi fjalimin si një megaloman e vijoi me hipokrizi, ndërkohë që sipas tij homologu Albin Kurti iu përgjigj me fisnikëri.

“Rama e filloi fjalimin me një megalomani që nuk i ndahet dot. Tre këshillat e Ramës ishin kulmi i hipokrizisë së Ramës me Kosovën. E para i tha ndihmë pa kufij Kosovës nga Shqipëria. Çfarë ndihme i ka dhënë?! Ka dy mandate që nuk është bërë asnjë shtysë për njohje të re të Kosovës. E dyta të ngrijë dialogun me Serbinë, Rama që krijoi Ballkanin e Hapur, që asfiksoi Kosovën! Oferta që Rama i ka bërë vazhdimisht Kosovës ka qenë kundër interesave të Kosovës. Rezoluta për një mision verifikimi të Gjykatës Speciale nga Parlamenti i Kosovës. Po mirë z.kryeministër pse nuk ke miratuar rezolutën për gjenocidin serb? Sepse është hipokrit. Albini është një nga njerëzit më të kulturuar, më të drejtpërdrejtë, që u qëndron fjalëve të tij. Albini reagoi me shumë fisnikëri. Më kujton Sokratin, Sokrati thoshte kështu: Hipokriti është si puna e qenit që sapo i kthen shpinën të kafshon, unë s’mund të reagoj thotë, sepse s’jam qen”.



