Ambasadorët e NATO-s do mblidhen të martën në Bruksel për shqetësimet për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga avionët luftarakë rusë. Talini ka kërkuar konsultime urgjente sipas Nenit 4 të traktatit themelues të aleancës. NATO ngriti në ajër avionët luftarakë pasi tre avionë luftarakë rusë MiG-31 shkelën hapësirën ajrore estoneze për rreth 12 minuta të premten.
Më herët edhe Polonia bëri të njëjtën gjë, pasi pretendoi cenim nga një valë dronësh rusë. Sipas Nenit 4, çdo anëtar mund të thërrasë diskutime urgjente kur mendon se "integriteti i tij territorial, pavarësia politike ose siguria" janë në rrezik.
Kjo është hera e tretë që Neni 4 aktivizohet që kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022, dhe hera e nëntë që aktivizohet në historinë 79-vjeçare të aleancës.
Aktualisht, ka rritje të vëmendjes së aleatëve të NATO-s për krahun lindor. Qëllimi është të forcohet prania, bashkëpunimi dhe fleksibiliteti ushtarak përgjatë gjithë krahut lindor. Edhe pse fokusi është te Polonia dhe kërcënimi nga dronët rusë, operacioni është shumëdimensional - duke përfshirë forcat tokësore, detare dhe ajrore - dhe synon t’i mbulojë boshllëqet në mbrojtje nga Deti i Veriut deri në Detin e Zi.
Ndërsa më herët çdo anëtar i NATO-s kryente veçmas misione patrullimi ajror në zona të ndryshme, tani aleanca po ofron mbështetje shtesë, në varësi të vlerësimit të kërcënimit. Sipas ushtarakëve të NATO-s, megjithëse është e vështirë të parandalohet depërtimi i çdo droni në hapësirën e NATO-s, besohet se prania e shtuar ushtarake do ta bëjë Rusinë “të mendojë dy herë para se të provojë sërish”. Tetë shtete i janë bashkuar operacionit Roja Lindore – Franca, Britania, Gjermania, Italia, Danimarka, Spanja dhe Suedia, ndërsa Republika Çeke ka vendosur të stacionojë forca speciale në Poloni dhe të dërgojë edhe tre helikopterë.



