
Partia Socialiste i konsideron të fituara zgjedhjet e mbajtura sot. Kryeministri Rama, në daljen e parë pas përfundimit të procesit të votimit, tha se 30 qershori nuk ishte vetëm një betejë zgjedhore e fituar, por një luftë e fituar për zgjedhjet e të gjitha radhëve.
“U krye për bukuri ajo që dukej si rruga pa krye e rezistencës sonë kundër. Pas pak fillon një ditë e re, kur ne përfaqësuesit e vukllnetit të rishprehur fillojmë të bëjmë tonën. Ne nuk fituam ndonjë betejë zgjedhore të radhës, por fituam përgjithmonë luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve”, tha ai.
Rama ftoi opozitën, por edhe të vetët që ta lexojnë mirë mesazhin që përcjell 30 qershori.
“Nga sot, Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, parti molotovësh, bojkot zgjedhjesh, nga sot pësimi i atyre që guxuan ta ndërmarrin aventurën e gjysmës së mbrapshtë të vitit, është një mësim. Nga sot, ne vetë, fitimtarët e këtij 30 qershori duhet ta ngulisim në mend se nuk fituam se kemi bërë vetëm punë të mira. Asnjë iluzion të mos ushqejë askush, ne nuk kemi bërë vetëm punë shumë të mira, por kemi bërë edhe të tilla që më mirë të mos i kishim bërë fare. Nëse nuk e kuptojmë këtë siç është, njerëzit nga nesër do të jenë me plot të drejtë më pak të duruar e më pak të prirur të mirëkuptojnë të metat tona”, tha ai.
Kreu i qeverisë tha se maxhoranca mban të shtrirë dorën e dialogut, por ajo që nuk diskuton në asnjë rrethanë është reforma në drejtësi.
“Dora ime është e shtrirë, reforma zgjedhore mbetet një sfidë e përbashkët. Opozita joparlamentare ka një karrige bosh në komision. Reforma në drejtësi nuk diskutohet”, tha ai.



