
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, jep një mesazh në ditën e fundit të vitit 2022, për të cilin shprehet se viti që po mbyllet nuk ishte i lehtë, për shkak se u përballëm gjatë këtij viti me shumë vështirësi.
Xhaçka thotë se pasojat e pandemisë edhe pse janë zbehur nuk janë zhdukur ende, ndërkohë që pasojat e luftës në Ukrainë janë të ndjeshme jo vetëm në jetën e vendit, por edhe në çdo familje shqiptare.
E megjithatë, sipas saj, viti që po mbyllet ishte edhe një vit suksesesh të mëdha të arritura me shumë punë e shumë përkushtim dhe për diplomacinë shqiptare 2022 ka qenë një viti arritjesh të paprecedenta.
Ky vit u hap me marrjen për herë të parë pas 65 vjetësh të mandatit në Këshillin e Sigurimit të OKB. Në korrik, u hapën negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian duke e çuar procesin e integrimit në një stad tjetër.
Viti u mbyll me mbajtjen në Tiranë të Samitit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, hera e parë që ky samit mbahet në një vend jo anëtar të BE, çka përbën një vlerësim të jashtëzakonshëm të vendit tonë.
Të gjitha këto janë dëshmi të transformimit të madh që ka pësuar Shqipëria duke u bërë sot një vend, që gëzon respektin e partnerëve e aleatëve.
Prandaj teksa hedhim sytë pas nga viti që po mbyllet, besoj që me gjithë vështirësitë që na është dashur të përballojmë, kemi arsye për t’u ndjerë krenarë, e mbi të gjitha, kemi arsye për të parë me optimizëm nga viti që po vjen, me bindjen që përpara na presin ditë më të mira e më të begata.
Më lejoni t’ju uroj të gjithëve nga zemra një vit të ri sa më të mbarë e sa më të begatë për ju e familjet tuaja.



