Ardian Hoxha ka kërkuar vullnet politik nga qeveria shqiptare për të zbuluar se ku janë eshtrat e babait të tij, Remzi Hoxhës. Në një intervistë për Tema Tv ai pohon se vullneti nga deputetet e Partisë socialiste ishte pozitiv pas kërkesës së tij, teksa u shpreh se pas dy vjetësh është koha që Edi Rama ta tregojë me vepra se qeveria shqiptare është e gatshme ta hetojë këtë çështje. I biri i biznesmenit shqiptaro-maqedonas u ka dorëzuar deputetëve të kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarit të kuvendit një letër në të cilën u bën thirrje ligjvënësve shqiptarë që të angazhohen për gjetjen e trupit të babait të tij, zhdukur 20 vite më parë. Ai shprehet se ka besim se e vërteta do të zbardhet dhe se kjo zvarritje ka ndodhur për shkak se për gjithë këto vite është penguar drejtësia, pasi ligjet kanë ekzistuar edhe më parë.



