Situata e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, por veçanërisht në Shëngjin ka shënuar përmirësim në orët e mbrëmjes, pas punës së pandërprerë të qindra forcave operacionale në terren si dhe ndërhyrjes së dy avionëve Canadair të ardhur nga Italia, pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.
Zjarrfikësit dhe ushtria kanë punuar gjatë gjithë natës duke parandaluar një katastrofë të mundshme natyrore. Dy vatrat e mëdha, ajo e Ranës së Hedhur dhe ajo pranë Portit të Shëngjinit kanë ulur intensitetin, por dëmet e shkaktuara janë të mëdha.
Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë Lezhë, ka bërë të ditur sot për media se situata është tashmë në kontroll dhe gjatë tërë natës ka vijuar operacioni për shuarjen e çdo vatre zjarri.
Ka qenë një situatë nga më të vështirat që kemi kaluar. Sinqerisht ka qenë një rrezik evident shumë i madh për shkak të erës së fortë të disa vatrave te vogla të zjarrit të cilat u bënë të mëdha.
Falë angazhimit të gjithë Shqipërisë, të zjarrfikësve të tere vendin ne drejtimin e drejtori Cara, stafit të tij është bërë e mundur që gjendja të mbahen nën kontroll, të mos kemi dëme në njerëz, të kemi dëme te vogla, te lehta në biznese dhe të neutralizojmë një situatë e cila nëse nuk do punohej për 48 orë do ishte një histori e trishtë.
Ndreu thotë se zjarrfikësit nga tërë qarqet e vendit po punojnë pandërprerë teksa rreziku besohet se ka kaluar. Megjithëkëtë janë akoma në monitorim vatrat më të vogla të zjarrit, të cilat mund të përbëjnë rrezik riaktivizimi.
Ne kemi tërë natën që po merremi më ketë punë, po trajtojmë edhe vatrat më të vogla. Po presim edhe helikopterët që të bëjmë një rivlerësim të disa vatrave që nuk janë aktive dhe nuk janë problematika tani por që historia tregoj se me erën e cila është prezentë dhe sot, do të mund të riaktivizohen.
Jemi të gjithë zjarrfikësit e të gjitha qarqeve këtu, jemi të gjithë në këmbë dhe mendoj se shumica është kaluar , nuk mund të shkoj situata në pikën e rrezikut është menaxhuar perfekt. Po bisedoj me operatoret turistik dhe po kryhet monitorim për objekte që mund të jenë prekur (përshkuar), nga zjarri që dje rrezikuan edhe resorte, banesa e biznese.
Ndërkohë ajo çfarë ka lënë pas zjarri në Shëngjin janë dhjetëra hektarë pyje te djegura e po ashtu banesa e biznese të dëmtuara, ndërsa përllogaritja e plote e dëmeve do të bëhet pas shuarjes se plotë të flakëve.



