
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, do të marrë pjesë në një darkë që do të mbahet sonte në Sarajevë, në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Këtë fakt e ka konfirmuar për TemaTv, këshilltari i Metës për rajon dhe diasporë, Flamur Gashi.
Gashi, konfirmoi poashtu se të martën, Meta do të marrë pjesë edhe në takimin në nivel presidentësh në Jahorinë.
Më herët, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se Shqipëria, në shenjë solidariteti me Kosovën, e ka anuluar pjesëmarrjen në samit, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të organizatorit me Kosovën. Cakaj nuk mori pjesë në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm, me të cilin u hap samiti dyditor.
Gashi, megjithatë, tha se Meta nuk e ka anuluar pjesëmarrjen e tij.
Dy ditë më parë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi njoftoi mospjesëmarrjen e vendit të tij në këtë samit, me argumentin se shteti nuk është trajtuar si i barabartë me pjesëmarrësit e tjerë. Organizatorët nuk e kanë ftuar Thaçin në cilësinë e presidentit, por thjesht si një përfaqësues, ndryshe nga drejtuesit e vendeve të tjera.



