Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së ranë dakord me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
“Radio Evropa e Lirë” raporton se dakordësia u arrit pas takimit të zhvilluar sot në Bruksel të këshilltarëve për viza. Mësohet po ashtu se data ishte kërkesë e Spanjës, një nga 5 vendet e BE që ende s’e njeh pavarësinë e Kosovës.
Ndërsa, Çekia, e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së, kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të hynte në fuqi më 1 dhjetor të vitit 2023.
Sipas propozimit të miratuar të martën, "hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS".



