Policia Rrugore ka bërë me dije se kanë shtuar kontrollet në akse të ndryshme të vendit, kryesisht në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe në rrugën e Kombit, duke marrë shkasë nga kthimi i qytetarëve nga zonat bregdetare dhe turistike drejt Tiranës dhe Morinës.
Autoritetet bëjnë me dije se nga ora 16:00 e deri më tani janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 256 drejtues mjetesh që kryenin parakalime të gabuara apo sjellje agresive në rrugë.
Nga monitorimi me radar e dragera, Policia Rrugore në të gjithë vendin gjatë orëve të mbasdites së sotme ka pezulluar 31 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 12 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar një 55-vjeçar pasi drejtonte një mjet 8+1 në gjendje të dehur.



