Deklaratën e presidentit të Francës, se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë është shprehje e neokolonializmit dhe imperializmit që po tentohet të bëhet normë, historiani Paskal Milo e cilëson serioze dhe të qartë. Në studion e lajmeve të MCN TV, Milo tha se mundja e Rusisë duhet të jetë vetëm në fushën e betejës, pasi nuk mund të neglizhohet ajo që përfaqëson në historinë e Europës.
Deklarata e Macron është serioze, ai e bëri të qartë se çfarë përfaqëson agresioni rus kundër Ukrainës. Ai e cilësoi një vend imperialist dhe me këtë ka thënë gjithçka. Rreziku është i madh, është aktual. Presidenti e ka cilësuar me termin e saktë. Është fjala për ta mundur Rusinë në fushën e betejës, por jo për ta shkatërruar. Kjo sepse nuk mund të prishen ekuilibrat historikë në Europë. Ai pati kujdes të tërheqë vëmendjen që Rusinë ta mundim, por jo ta poshtërojmë. Ai la hapur mundësinë që konflikti të përfundojë me një marrëveshje paqeje.
Milo tha se lajmi kryesor që dominoi Konferencën e Mynihut mbetet Ukraina dhe kërkesa e saj për armë.
Lajmi kryesor që dominoi konferencën ishte lufta në Ukrainë, thirrjet për ti dhënë asaj mbështetje në fushën e armatimeve. Asaj vërtet iu dhanë tanke Leopard. Tashmë ka kërkuar edhe aeroplanë modernë, ka kërkuar raketa me rreze të largët veprimi. Por mënyra e diskutimit dhe vendimmarrja nuk pret. Rusia ka nisur një ofensivë të re në frontin e luftimeve.
Milo nuk e sheh të lehtë arritjen e një strategjie të qartë për të ardhmen e Europës.
Nuk është e thjeshtë sepse Perëndimi përbëhet nga një numër shtetesh që jo të gjitha kanë të njëjtat interesa. Ka vende që hezitojnë t’u shkojnë deri në fund sanksioneve të Rusisë. Jugu global është ende larg kësaj mbështetjeje, për të mos thënë që janë viktima të një propagande ruse. Madje edhe brenda BE ka shtete që nuk janë në një linjë.
Sipas tij, Rusia nuk mund të shihet më si garant i sigurisë europiane.
Siguria e Europës është një çështje që u intereson të gjitha shteteve. Problemi është se koncepti i sigurisë interpretohet ndryshe nga vende të ndryshme. Ka qenë dikur deklarata e Helsinkit, por sot rrethanat kanë ndryshuar. Rusia ka sulmuar një shtet sovran të pavarur, pra ka thyer rregullat e lojës ndërkombëtare. Prandaj nuk mund të jetë ajo që garanton sigurinë dhe paqen ndërkombëtare. Sigurisht nuk mund të përjashtohet. Por mënyra si e koncepton sigurinë europiane si një siguri ruse, shkon në të kundërt të perceptimit.



