
Ditën e sotme është zyrtarizuar bashkëpunimi mes Prokurorisë së Posaçme dhe asaj të Përgjithshme në kuadër të shkëmbimit të informacionit dhe statistikave si dhe sigurimit të efektivitetit në hetime.
Ky dokument i nënshkruar nga Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit z. Arben Kraja formalizon bashkëpunimin në funksion të sigurimit të efektivitetit në hetim, duke vënë theksin tek hetimet proaktive si dhe tek koordinimi i përfaqësimit të akuzës në Gjykatën e Lartë, duke garantuar njëkohësisht procesin e rregullt ligjor dhe të drejtat e subjekteve të procedimit penal.
Të dy institucionet angazhohen në vendosjen e komunikimeve të drejtpërdrejta për shkëmbimin e informacionit dhe statistikave, për inicimin e propozimeve për ndryshime ligjore apo nxjerrjen e udhëzimeve të përgjithshme në kuadrin e përmbushjes së detyrimeve ndërinstitucionale brenda dhe jashtë vendit, në zbatim të rekomandimeve të KSA-së, planit të veprimit të ICRG/FATF-së apo angazhime të tjera në këto fusha, në fushën e integrimit në BE etj.
"Ky bashkëpunim, kryesisht në shkëmbimin e informacioneve dhe akteve procedurale që në fazat e para të hetimit dhe përmes një qasjeje të fokusuar në bashkëveprimin e bashkërendimin e njëkohshëm edhe përmes kontakteve e komunikimeve permanente, përveçse do të ndikojë në përshpejtimin e hetimeve, eficencën e tyre si dhe goditjen e aseteve kriminale, do të sjellë në përgjithësi rezultate të ndjeshme në luftën kundër krimit, duke rritur kështu edhe besimin e publikut tek organi i prokurorisë." shkruhet në njoftimin zyrtar



