E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, vlerësoi kuadrin e ri të shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte (IHD), duke e cilësuar atë si një hap strategjik që forcon klimën e biznesit dhe rrit sigurinë ekonomike të vendit.
Gjatë prezantimit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, VanHorn theksoi se “kuadri i shqyrtimit të IHD-së nuk është thjesht një ushtrim burokratik, por një deklaratë strategjike”, e cila dëshmon se Shqipëria është e hapur ndaj investimeve, ndërsa njëkohësisht mbron interesat kombëtare dhe respekton standardet ndërkombëtare.
Sipas saj, ky mesazh po ndiqet me vëmendje nga investitorët ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata amerikanë.
Kompanitë amerikane janë tashmë të pranishme në sektorë si energjia, ndërtimi dhe teknologjia, ndërsa shumë të tjera po shqyrtojnë mundësinë për të hyrë në tregun shqiptar. Investitorët kanë nevojë për siguri se rregullat janë të qarta, se konkurrenca është e ndershme dhe se sektorët strategjikë mbrohen nga aktorë që nuk ndjekin të njëjtat standarde.
Diplomatja amerikane vuri në dukje se qasja e Shqipërisë është në përputhje me parimet e politikës amerikane të investimeve. Ajo kujtoi se Presidenti Donald Trump kishte theksuar nevojën për të mirëpritur investimet që nxisin rritjen ekonomike, duke garantuar njëkohësisht sigurinë e infrastrukturës kritike dhe sektorëve strategjikë.
Qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim dhe kjo përputhje ka rëndësi.
Megjithatë, VanHorn nënvizoi se miratimi i legjislacionit është vetëm hapi i parë dhe se sfida kryesore mbetet zbatimi i tij.
“Miratimi i një ligji është fillimi, jo fundi. Zbatimi është vendi ku këto përpjekje kanë sukses ose dështojnë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë gjatë këtij procesi”, deklaroi ajo, duke shtuar se bashkëpunimi do të vijojë me ministren Delina Ibrahimaj dhe institucionet e tjera përgjegjëse për vënien në funksion të këtij kuadri.
Duke iu drejtuar komunitetit të biznesit, VanHorn theksoi se mekanizmat e shqyrtimit të investimeve janë krijuar për të mbrojtur investitorët dhe për të garantuar një mjedis të qëndrueshëm ekonomik.
Kur rregullat janë të parashikueshme dhe zbatimi është i qëndrueshëm, të gjithë përfitojnë. Ky është mjedisi që tërheq investime afatgjata dhe cilësore, të cilat Shqipëria i meriton”, tha ajo.
Në përfundim, diplomatja amerikane e cilësoi kuadrin e ri si një hap të rëndësishëm përpara për Shqipërinë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe biznesit për të kuptuar funksionimin e tij dhe hapat që do të pasojnë.



