Duke filluar nga dita e sotme, aborti është i paligjshëm në shtetin amerikan të Wyoming.
Gjithashtu është i paligjshëm përshkrimi, shitja, shpërndarja ose përdorimi i pilulës së abortit, metoda më e përdorur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Guvernatori i shtetit, Mark Gordon, ka firmosur ligjin e miratuar ditë më parë nga Parlamenti i shtetit, i dominuar nga republikanët. Shkelja e këtij vendimi është vepër penale dhe dënohet me 6 muaj burg dhe gjobë deri në 9000 dollarë.
Masa nuk ka të bëjë me të ashtuquajturat “pilula e pasdites” apo metoda të tjera kontraceptive dhe parashikon përjashtim për rastet e rrezikimit të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e gruas.
Gjithsesi procedurat konvencionale të abortit lejohen në rastet e përdhunimit, incestit dhe “anomalive vdekjeprurëse” të fetusit.
Betejat ligjore mbi të drejtën e grave për liri riprodhuese kanë ndezur Shtetet e Bashkuara që kur Gjykata e Lartë përmbysi vendimin e vitit 1973 “Roe kundër Wade” vitin e kaluar që siguroi mbulim ligjor federal për vullnetin e lirë të grave.
Që atëherë, zgjedhja i është besuar shteteve individuale, shumë prej të cilave, me shumicë republikane, kanë miratuar masa shumë të rrepta për të kufizuar përdorimin e abortit.



