Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dënon arrestimin e ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj, në aeroportin francez. Bushati shprehet se ky akt për fat të keq dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në një postim në “Facebook”, kreu i diplomacisë shqiptare u bën thirrje autoriteteve francize të lirojnë menjëherë Haradinajn.
Postimi i Bushatit
Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë bazuar në një urdhër arresti të 2004 të lëshuar nga Serbia, është i dënueshëm, kur dihet botërisht se drejtësia ndërkombëtare e ka çliruar atë nga të gjitha akuzat.
I bëj thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn.
Çdo përpjekje e Serbisë për të përbaltur luftën çlirimtare të Kosovës do të dështojë sikurse dështuan politikat genocidiste të Millosheviçit në Kosovë, të cilave Ramushi dhe UÇK-ja iu kundërvunë.
Ky akt për fat të keq dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Proces, i cili kërkon gjurmë provash të pakundërshtueshme, e jo përbetime artificiale, për të ecur me vendosmëri përpara, duke hequr dorë nga provokimet dhe aplikimi i metodave që s’kanë aspak lidhje me të ardhmen e përbashkët të Kosovës e Serbisë në familjen europaine.



