Më shumë se një mijë fëmijë janë evakuuar nga një kamp veror pas zjarreve që shpërthyen në Greqi. Në qytetin bregdetar të Loutraki, në perëndim të Athinës, 1200 fëmijë u evakuuan ndërsa flakët iu afruan kampit të tyre. Ndërkohë, policia arrestoi një burrë që dyshohet se ndezi një tjetër flakë në Kouvaras, në jug-lindje të kryeqytetit. Vala e fortë rajonale e të nxehtit nuk tregon shenja lehtësimi, thonë vëzhguesit e motit. Dhe shërbimi meteorologjik grek ka paralajmëruar se rreziku për zjarre të tjera mbetet i lartë. Zjarret u ndezën nga erërat e forta, me qindra zjarrfikës që luftuan për të frenuar përhapjen e flakëve. Televizioni grek tregoi disa shtëpi dhe makina të djegura nga flakët, ndërsa tym i bardhë i dendur ngrihej nga vegjetacioni i djegur. Në fshatin Kalyvia, pranë Kouvaras, tymi i dendur bllokoi rrugët dhe murgjit u evakuuan nga një manastir lokal. Greqia ka shënuar temperatura prej 40 gradë Celsius (104F) ose më shumë ditët e fundit. Akropoli në Athinë, atraksioni më i njohur turistik i vendit u mbyll gjatë orëve më të nxehta të së premtes dhe të shtunës për të mbrojtur vizitorët. Vendet fqinje duke përfshirë Italinë dhe Spanjën kanë përjetuar gjithashtu temperatura jashtëzakonisht të larta.



