Nga kjo e diel, në vendin tonë ka hyrë në fuqi akti normativ për masat administrative gjatë periudhës së kohëzgjatjes së koronavirusit.
Në këtë dokument të miratuar nga qeveria, parashikohen një sërë penalitetesh ndaj shkelësve, sipas pikave të përcaktuara në akt. Gjobat e parashikuara nga qeveria variojnë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.
Në aktin normativ parashikohet se institucionet që lejojnë grumbullime njerëzish ose pacientësh gjobiten deri në 1 milion lekë dhe në rast përsëritjeje u mbyllet aktiviteti për një periudhë 6-mujore.
Në rastet e hapjes së lokaleve, restoranteve dhe diskove, pronarët do të paguajnë gjithashtu 1 mln lekë gjobë. Nga ana tjetër, të gjithë ata që organizojnë ekskursione, tubime, ndeshje apo konferenca, do të gjobiten me 1 mln lekë.
Ndërsa për çerdhet, kopshtet dhe shkollat që nuk mbyllen, gjoba e parashikuar është nga 1-5 milionë lekë.
Një pikë e posaçme e aktit normativ u kushtohet edhe të infektuarve që nuk vetëkarantinohen, ose fshehin ardhjen nga zonat e prekurve. Ata do të ndëshkohen me 700 mijë lekë gjobë.
Nga ana tjetër, në dokumentin e miratuar së fundmi nga qeveria, thuhet se do të ndëshkohen me 500 mijë lekë gjobë të gjithë familjarët që futen pa leje në spitale.
Subjektet që eksportojnë barna dhe pajisje mjekësore nga Republika e Shqipërisë, pa autorizim të posaçëm të ministrit të Shëndetësisë, dënohen me gjobë në masën 5 milionë lekë dhe u sekuestrohet e gjithë sasia e barnave dhe pajisjeve mjekësore.
Vlen të theksohet se për të gjithë shkelësit përsëritës, aktiviteti mbyllet për 6 muaj.
Gjithashtu, nëpërmjet aktit normativ, institucionet shëndetsore private urdhërohen të vendosin në dispozicion të spitaleve shtetërore edhe strukturat private spitalore, ambulatore, hoteliere, autoambulancat dhe personelin përkatës, shëndetësor e mbështetës.
Gjoba e parashikuar për spitalet private nëse nuk e zbatojnë urdhrin, është 5 milionë lekë.
Në rast mosbindjeje pas vendosjes së gjobës, struktura përkatëse vendoset forcërisht në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor dhe personeli është i detyruar të shërbejë nën drejtimin shtetëror gjatë gjithë kohëzgjatjes së infeksionit.



