Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cilëson tallje me pensionistët indeksimin e fundit që u është bërë pensioneve. Në studion e MCN Live, Xhixho analizoi rritjen e pensioneve në raport me rritjen e çmimeve dhe theksoi se qëllimi i vetëm është përfitimi elektoral nga kjo shtesë.

Janë shtresa që i ka mbështetur më shumë socialistët. Janë ajo shtresë që kanë qenë edhe në luftën nacionalçlirimtare, i kanë dhënë shumë vendit. Bëhet një indeksim 4.1%, pra 250 lekë të vjetra. As një panine. Më 1 nëntor nis dhe rritja e energjisë elektrike. Pra, siç ua dha, ua mori. Është një tallje. Kjo gjë që në gjithë krizën e çmimeve është tallje ndaj një shtrese të tërë. Lekë ka, ne na erdhi akti normativ. Është rritur buxheti i shtetit, sepse është rritur TVSH. Pra, para ka, por prioriteti i kësaj qeverie nuk janë qytetarët. Është një reflektim i madh që duhet të bëjnë të gjitha shtresat.

Xhixho bëri më tej një krahasim me Kosovën.

Kemi 160 euro pensionin mesatar. Ndërkohë në Kosovë është 320 euro. Dhe çmimet atje janë 50% më të ulëta. Prandaj ka shumë arsye për të protestuar.

Deputetja e PL u ndal edhe te arsyet që kanë nxitur shpopullimin e vendit.

Është bërë e qartë në sytë e të gjithë qytetarëve në çfarë regjimi jetojmë. Opozitës nuk i është lënë asnjë mjet tjetër, vetëm përballja. Ky regjim i ka lënë qytetarët të varfër, kemi oligarkë dhe klientë të qeverisë që janë miliarderë, dhe ata që janë për bukë të gojës, që ose rrinë në varfëri ekstreme, ose largohen siç janë larguar masivisht. U vendos dhe taksa e profesionistëve të lirë pikërisht për t’u dhënë këtë mesazh. E fituan në Kushtetuese bashkë me mbështetjen e opozitës dhe lekët nuk i marrin.

Ka dëmtuar arsimin. Për t’i lënë injorantë, por të kenë hallin e legalizimeve dhe të mbajtjes së vendit të punës. E dini kë kam pasur përballë në 2021? Alqi Bllakon! Atë të inceneratorëve. Që shkonte blinte me 500 euro familjet. Këto i kemi edhe në raportin e OSBE-ODIHR. Presionet dhe patronazhistët janë mekanizma që funksionojnë në terren. Çdo resurs publik është përdorur në funksion të zgjedhjeve.

Xhixho tha se PL është në një proces riorganizimi dhe komunikimi të hapur me qytetarët.

Protesta është mjeti më demokratik. Ne kemi një program me 5 prioritete për të cilin po komunikojmë me qytetarët. Jemi në një proces riorganizimi. Mobilizimi është i jashtëzakonshëm. Por unë nuk e quaj këtë protestë partiake. Opozita ka qenë shumë e fortë në numra. Kemi pasur mbështetjen e qytetarëve. Edhe në momentet e vështira, pavarësisht shantazheve dhe kërcënimeve.

Lidhur me Komisionin Antikorrupsion, Xhixho u shpreh se PL e ka bërë të qartë qëndrimin e saj që në fillim.

Ne e kemi bërë të qartë që në krye të herës qëndrimin tonë. Nuk do të bëhemi fasadë. Parlamenti i ka të gjitha mekanizmat, pse duhet të bëhet. Qëllimi ishte për të vënë nën kontroll akoma më të madh drejtësinë. Kemi 135 mijë dosje ende stok. Njerëzit ndërrojnë jetë dhe nuk marrin drejtësi. Hartën e re gjyqësore e kemi kritikuar që në fillim.