
Rreth 700 kamionë me mallra nga Serbia janë në pritje për të hyrë në territorin e Kosovës. Radio Televizion i Serbisë bën me dije se mjetet po presin në parkingje nga Kraleva deri në Jarinjë. Drejtuesit e kamionëve prej ditësh u bëjnë thirrje t'u lejohet kalimi, duke u shprehur se nuk ju interesojnë zhvillimet politike. Kujtojmë që kryeministri Kurti vendosi të ndalojë hyrjen e kamionëve me mallra nga Serbia në Kosovë, pas rrëmbimit të tre policëve nga Kosova më 14 qershor. Ministria e Jashtme e Kosovës ka dalë me një njoftim ku u drejtohet qytetarëve që vijnë drejt Kosovës që të mos kalojnë nëpërmjet Serbisë, por t’i drejtohen pikave tjera kufitare, mes të cilave ajo me Maqedoninë e Veriut.



