
Ashtu siç edhe u lajmërua studentët kanë vazhduar marshimin në ditën e gjashtë të protestës, në orën 10 të mëngjesit, përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ku po kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre. Fillimisht ata protestuan për plotësimin e katër kërkesave, anulimi i pikës 4 të vendimit për tarifat për kreditet për lëndët e mbartura, kërkesë që është plotësuar nga qeveria.
Përgjysmimi i tarifës së studimit. Përmirësimi i kushteve të konvikteve, si edhe bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord. Pas këtyre pikave studentët në ditën e tretë dyfishuan numrin e kërkesave, duke iu drejtuar ministres Nikolla, me katër thirrje të tjera, mbështetja e studentëve për kërkime shkencore, mbështetja e studentëve të doktoraturës me fonde, dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë dhe pajisja e studentëve me kartë studenti brenda vitit 2018-19.
Studentët nuk pranojnë të bisedojnë me asnjë antarë të qeverisë pa iu plotësuar kriteret e kërkuara. Situata është tensionuar pasi një grup studentësh i kanë hequr megafonin pedagogut të Shkencave të Natyrës Jani Marka duke e larguar nga podiumi i improvizuar. Pas incidentit, pedagogu ka akuzuar për dhunë eksponentët e partive politike, dhe jo studentët.
Lidhur me këtë situatë, Lëvizja Për Universitetin ka reaguar në faqen e Facebook duke thënë se janë regjistruar 12 sulme kundër tyre, ndërsa akuzojnë se Në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, agresorët kanë qenë të forumeve të Partisë Demokratike”. U bëjmë thirrje strukturave drejtuese të PD-së, si dhe kryetarit Lulzim Basha, që të tërhiqen nga aktet e dhunës dhe metodat e tjera që synojnë intimidim dhe përçarje, thuhet në faqen e tyre.



