
Një raport i fundit ngre dyshime të forta se disa zyrtarët të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës janë përfshirë në aktivitete korruptive në favor të Azerbajxhanit.
Ata dyshohet se kanë përfituar dhurata luksi, përfshirë kaviar, tapete dhe qëndrime në hotelet më të mira të kryeqytetit Baku. Në raportin me 219 faqe, hartuar nga ekspertë francezë, britanikë dhe suedezë, thuhet se “ka dyshime të forta se disa anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës janë përfshirë në aktivitete me natyrë korruptive”.
Raporti është hartuar nga një ekip i vetë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Raporti ngre shqetësimin e disa praktikave të dyshimta në favor të vendeve të tjera anëtare të asamblesë. Azerbajxhani është një prej këtyre vendeve. Disa OJQ e kanë fajësuar këtë vend për përpjekjet për të shmangur kriticizmin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës “në këmbim të dhuaratave dhe parave” ndaj anëtarëve.
Mes emrave që dyshohet se janë përfshirë pëmendet ai i ish-presidentit të Asamblesë Parlamentare, Pedro Agramunt, i cili sipas raportit ka luajtur një rol kyç në vendimet e dhëna në favor të Azerbajxhanit. Agramund dha dorëheqjen nga posti në vitin 2017, pasi nuk u votëbesua pas një vizite që kishte kryer në Siri, ku ishte takuar me presidentin Bashar al Asad.
Edhe një anëtar i Asamblesë Parlamentare, italiani Luca Volonte, përmendet me dyshimin e “aktiviteteve me natyrë korruptive”, për rolin e rëndësishëm në sabotimin e një raporti mbi të burgosurit politikë në ish-shtetin sovjetik.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE) është institucioni parlamentar i Këshillit të Europës. E ngritur në vitin 1949 për të përkrahur demokracinë dhe sundimin e ligjit, kjo organizatë mbledh 47 vende, nuk ka fuqi legjislative, por vlerësimet e saj tërheqin vëmendje dhe merren në konsideratë nga lidershipi i BE-së.
Azerbajxhani është bërë pjesë e Këshillit të Europës në vitin 2001 dhe që atëherë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës është kritikuar për mosmbajtjen e një qëndrimi të qartë kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe manipulimit të zgjedhjeve në këtë vend.
Në vitin 2013, një raport që hidhte dyshime se qeveria azere po e përdorte sistemin gjyqësor për t’u përballur me kritikët në vend u hodh poshtë në mënyrë kontroverse nga anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në të njëjtin vit, kjo asamble u kritikua pasi i cilësoi zgjedhjet presidenciale (nga të cilat doli president Ilham Aliyev) si “të lira, të ndershme dhe transparente”, kur ato ishin cilësuar nga vëzhgesit si “zgjedhje me probleme të mëdha”. / RT / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



