
Kryedemokrati Sali Berisha prezantoi sot Chris LaCivita, kryetarin e komitetit kombëtar republikan dhe bashkëkryetarin, bashkëarkitektin e fushatës së Donald Trump.
Në një komunikim për mediat ditën e sotme ai tha se Chris LaCivita dhe Susanne Willis ishin bashkëkryetarë të fushatës më të pabarabartë në historinë e kombit amerikan.
Ata kishin përballë makinerinë propagandistike më gjigante të mashtrimit, manipulimit dhe censurës së mediave kryesore dhe polleve më kryesore të vendit, por pothuajse edhe të planetit, përfshi këtu edhe përpjekjet për përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve në SHBA me metoda terroriste.
Por pavarësisht nga të gjitha këto, ky ekip arritën që presidenti Trump të fitojë mendjen dhe zemrën e shumicës dërrmuese të qytetarëve amerikanë dhe të shënojë njërën nga fitoret më spektakolare në historinë e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Zoti Chris LaCivita është njeriu që pati fatin e madh t’i drejtohet kombit amerikan nga Mar-A-Lago natën e shpalljes së fitores nga presidenti amerikan në krah të këtij të fundit.
Koalicioni ynë ka zgjedhur, është i nderuar që kryearkitekti, një nga dy kryeartitektët e fushatës së fitores së datës 11 maj të jetë zoti Chris LaCivita.



