Fëmija që s’lindi kurrë, u pagua nga shteti për 19 vite rresht. Ky ishte inserti i transmetuar në emisionin FactCheck në puntatën e datës 1 korrik 2023. Një rast i denjë për rekord Guinness se si laboratori i falsifikimit të dokumenteve krijon e zhduk njerëz në qytetin e Kukësit. Për këtë rast në kushtet e flagrancës policia arrestoi disa javë më parë shtetasin Xhavit Sopaj ndaj të cilit gjykata caktoi masën e sigurisë arrest në qeli. Por a është Arjola Sopaj, fëmija i palindur dhe i përdorur për përfitime ekonomik një rast i izoluar? FactCheck ka siguruar të dhëna se krimi ekonomik, policia e shtetit dhe prokuroria në Kukës kanë nisur një hetim masiv në të cilin përfshihen, zyrtarë lokal, punonjës të gjendjes civile, agjencitë funerale dhe mjek. Rasti i dytë i dokumentuar dhe në hetim i përket shtetases Brigena Çikaj, e lindur më 12 nëntor 2006. Në maternitet dhe në realitet kjo shtetase nuk ka lindur kurrë dhe nuk ka ekzistuar por në vitin 29 Gusht 2019 institucionet lokale atje e shpallin të vdekur. Për 13 vite prindërit biologjik të Brigenës të palindur asnjëherë kanë përfituar paketën financiare të ndihmës ekonomike nga shteti. Por me çfarë skede vdekje dhe shkaku u nda nga jeta Brigena? Në këto materiale të siguruar ekskluzivisht nga FactCheck mjeku i familjes në fshatin Kolsh ka shënuar atë të arrestit kardiak. Para hetuesve mjeku ka shpjeguar se kur një pacient nuk është në terapi mjekimi zakonisht shkaku i vdekjes pas njoftimit që japin familjarët shkruhet “arrest kardiak”. Në hetim nga Prokuroria në Kukës për këtë rast janë vënë shtetasi B.Çikaj për veprën penale të mashtrimit si dhe shtetasit Xh.A me detyrë mjek dhe A.E administrator i agjencisë funerale.



