Kreu i PD-së, Lulzim Basha, thotë se ngritja e një kampi refugatësh në Shqipëri nuk duhet të serviret si një karamele për të ëmbëlsuar gojën e hidhur të Europës nga skandalet e Tahirit dhe Xhafajt. Në një konferencë shtypi në mesditë, Basha tha se ky është një vendim që nuk mund të merret nga një person i vetëm. Sipas Bashës, qeveria nuk ka kapacitetet shtetërore për ta bërë një gjë të tillë.
“Unë kam qenë në komunikim të vazhdueshëm, përfshi edhe kancelarin Kurz dhe të tjerë përfaqësues të qeverive perëndimore edhe mbi këtë problem. Shqetësimi sa i përket Shqipërisë dhe aktivizimit të ashtuquajturës rrugë ballkanike ka të bëjë me a është e aftë Shqipëria në këtë gjendje të shtetit ligjor, në këtë gjendje të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit që konsiderohet e pamjaftueshme të përballojë një krizë të tillë?! Ne si opozitë jemi të angazhuar për të dhënë kontributin tonë nga ana tjetër kemi bërë fare të qartë që ashtu si në luftën kundër trafikut të drogës, trafikut të qenieve njerëzore, luftës kundër korrupsionit qeveritar, diferenca bëhet nga mungesa e vullnetit politik apo nga ekzistenca e vullnetit politik. Opozita, PD ka demonstruar katërcipërisht vullnetin politik për t’u përballur me të vërtetat, jo për t’i fshehur ato as për të pretenduar që nuk ekzistojnë, ndërsa një qeveri e cila deri më dje mohonte krimin, drogën, në vlerësimin tonë nuk ka as besueshmëri as vullnetin politik dhe as potencialin për të mobilizuar kapacitetet shtetërore. Ndaj, një dimension i tillë që kapërcen kufijtë e vendit tonë nuk mund të jetë një vendim i vetëm një personi, aq më pak nëse kjo serviret si karamele për të ëmbëlsuar gojën e hidhur të Europës nga skandalet Tahiri, Xhafaj dhe lufta e pamjaftueshme kundër drogës dhe krimit”, tha ai.



