
Në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës është zhvilluar faza e parë e operacionit policor të koduar “Premtimi”, i ndërmarrë në bashkëpunim mes Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.
Gazetarja Klodiana Lala, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, tha se me vendim të Gjykatës së Posaçme, janë ushtruar kontrolle ndaj 6 shtetasve dhe në 9 automjete të tyre
Lala tha se ky është vetëm fillimi i një operacioni që pritet të çojë në arrestime të tjera.
Në bashkëpunim me BKH, u zbatuan vendimet për kontrollin personal dhe të automjeteve ndaj 6 shtetasve.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 7 telefona celularë, një shumë parash në euro dhe lekë, tollona karburanti, dokumente të ndryshme si dhe lista me emra qytetarësh.
Nga analizimi i të dhënave të telefonave të sekuestruar, pritet të dalin prova që mund të çojnë në arrestime konkrete.
Aksioni ka në fokus goditjen e krimeve elektorale në prag të zgjedhjeve, dhe Shkodra është një nga qarqet më të ndjeshme në këtë drejtim.
Tom Doshi mbetet një faktor kyç në Shkodër për shkak të ndikimit të tij elektoral, i cili prish ekuilibrat si për PS, ashtu edhe për PD.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal dhe për të dokumentuar lidhjet e mundshme me krimet zgjedhore.



